Nuk zgjedh Zvicrën, por Kosovën, talenti i Bazelit konfirmohet në kombëtaren dardane

Emigrimi i shumtë drejt Europës dhe rritja e talenteve jashtë kufijve të Kosovës e ka bërë këtë kombëtare të luftojë me disa pëfaqësuese të tjera të mëdha për talente me origjinë shqiptare. Një prej kombëtareve më konkurruese në këtë aspekt është Zvicra, e cila ka pritur shumë kosovarë në periudhën e errët të luftës.

Orges Bunjaku ka qenë “molla e sherrit” këtë herë, me talentin që deri tani ka qenë në mëdyshje për të zgjehdur se cilën kombëtare do të përfaqësojë. Megjithatë, përgjigja nga 19-vjeçari ka ardhur dhe është e lumtur për Kosovën. Muharrem Sahiti, pjesëtar i stafit teknik të Kosovës ka treguar për “Olle” se Bunjaku i ka thënë po dardanëve dhe kjo do të zyrtarizohet në momentin e mbylljes së burokracive të dokumentacioneve.

“Orges Bunjaku i ka thënë ‘po’ Kosovës. Por, deri në momentin kur te shohim me dokumentacion dhe të paraqitet në fanellën e Kosovës, atëherë nuk mund të themi që definitivisht është i yni, pasi kemi rastin me Kemal Ademin, i cili në momente të fundit zgjodhi Zvicrën. Gjithsesi, Orgesi i ka thënë ‘po’ Kosovës”, u shpreh Sahiti.

Bunjaku aktivizohet me Bazelin dhe luan si mesfushor qendre. Këtë sezon ai ka zhvilluar 14 ndeshje me ekipin e parë të Bazelit, duke mundur të dhurojë edhe një asist për shokët e tij. Ai shihet si një mesfushor me të ardhme të madhe dhe pritet që në një kohë të shkurtër të jetë lojtar kyç për kombëtaren dardane. /vipsport.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *